“Waiting for the Pope” do të jenë koncert dhe lexime/recitime të materialeve poetike nga autorë me profil religjioz, organizuar nga TKOB dhe TK që do të komunikojnë me publikun në disa qytete të Shqipërisë si Katedralja “Shën Luçia” – Durrës; Katedralja “Shën Pali”- Tiranë; Katedralja “Shën Shtjefnit”- Shkodër. Aktivitete të tjera do të jenë: Ekspozitë e piktorit Lin DELIJA “Historia e tij është takimi i Artit me Kishën”në GKA, Vox Baroque, Mbrëmje poetike me poezi të De Radës dhe me muzikë arbëreshe në TKE “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, shfaqje dokumentarësh me temë besimin fetar nga AQSHF- ja, program filmash të përzgjedhur nga Doku Fest si shfaqja e produksioneve të tri filmave religjiozë, ekspozita “Katolicizëm dhe kulturë”, organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, e cila synon të hedhë dritë mbi një nga faktorët më të rëndësishëm të ngjizjes europianiste të kulturës sonë kombëtare: kontributi i personaliteteve dhe i formantes kulturore katolike brendashkruar asaj kombëtare.
Në kuadër të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri dhe për të risjellë në vëmendje të publikut shqiptar figurën e Abat Preng Doçit, Ministria e Kulturës organizon në qytetin e Rubikut tryezën e rrumbullakët:
“Abat Preng Doçi – Rilindas i madh, misionar i dijes dhe kulturës kombëtare”. Abat Preng Doçi është një ndër personalitetet me te rëndësishme te Rilindjes dhe i fillimit të shek. XX në historinë e Shqipërisë, i cili ka luajtur një rol madhor në disa nga momentet më vendimtare të zhvillimeve politike e kulturore, e posaçërisht të gjuhës e letërsisë shqipe, bashkëpunëtor i De Radës dhe Kamardës, ai njihet si mendimtar, poet, publicist, veprimtar politik e kulturor, themelues i shoqërisë kulturore “Bashkimi” dhe Komisisë Letrare nga e cila trashëgojmë alfabetin latin të shqipes.
Ekspozita e klerit dhe bashkëjetesës fetare, titulluar “BESIM”, me kuratorë artistët Edi Hila dhe Zef Paci, e cila do të realizohet në bashkëpunim me komunitetet fetare në Shqipëri.